Fjala e CEO-s

Përshëndetje miq,

Për vite me rradhë kam shpenzuar shumë orë të ditës duke pyetur veten nëse puna që po bëja ishte ajo e duhura. Edhe pse vazhdimisht kam angazhuar veten me studime të njëpasnjëshme, kam menaxhuar bizneset e mija dhe kam kryer punë zyre në administratë, përsëri kam ndier një boshllëk të paplotësuar. Doja të bëja diçka që të më bënte të ndihesha e gjallë, që ta doja shumë dhe të mos mërzitesha kurrë me të, ama nuk e dija se çfarë ishte me saktësi.

Ajo çka dija me siguri ishte se: Më pëlqente të punoja me njerëzit, ti ndihmoja që të ishin të suksesshëm personalisht dhe profesionalisht; Të flisja për të frymëzuar audienca dhe të ndaja eksperinca. E doja stilin, modën, arredimin, të luaja me ngjyrat, aksesorët dhe make-up-in. Doja të isha gjithnjë në lëvizje në kërkim të së bukurës dhe mirëqenies shpirtërore.

Deri sa… mendimet e turbullta u kristalizuan në një ide të qartë : Konsulencë Imazhi!

Dhe imazhi i parë që mu shfaq përpara syve kur shqiptova fjalën Imazh ishte Spiralja e Artë e Fibonaccit. Gjithmonë e kam dashuruar matematikën dhe prezencën e numrave në çdo qelizë të jetës, saktësinë dhe simetrinë hyjnore në çdo pulsim të ekzistencës. Vargu i bukur ku çdo kufizë shtohet me atë paraardhëse për të vazhduar në infinit do të na shoqërojë në këtë faqe si një ogur i mirë.

E bukura për mua është një rregullsi, e krijuar nga një arkitekt i padukshëm por gjenial. Edhe aty ku natyra shpërthen në ngjyra të harlisura, në kontraste surreale dhe përqasje polivalente, përsëri çdo element është si një notë pentagrami në një sinfoni shumë më të madhe e luajtur mjeshtërisht e cila na magjeps në pafundësi dhe na frymëzon.

Njeriu ka qenë në kërkim të së bukurës që në lashtësi duke na lënë gjurmë me qindra simbole të cilat i ruajmë dhe studiojmë ende sot. Njerëzimi ka dashur të lërë si trashgimi vlerat shpirtërore dhe kulturore duke i shprehur ato në forma nga më të ndryshmet.

Ndaj kjo faqe do të jetë edhe një muze simbolesh kuptimplota për të na kujtuar se Imazhi është pasaporta jonë për të përcjellë mesazhe të botës sonë të brendshme. Nëpërmjet imazhit ne komunikojmë vlerat tona.

Jam shumë e lumtur të jem në dispozicionin tuaj për të ndarë me ju gjithçka që di.

Decus in Labore…In Labore Ad Astra…

Merita Osmani Muçaj